Një 35-vjeçare shqiptare është vrarë mbrëmjen e djeshme në Itali.
Mediat vendase bëjnë me dije se 35-vjeçarja shqiptare Klodiana Vefa, me leje të rregullt qëndrimi, është vrarë në mes të rrugës duke u kthyer nga puna në shtëpi.
Vrasja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një rrugë periferike në Castelfiorentino pak pas orës 20:00. Banorët e zonës kanë dhënë alarmin kur kanë dëgjuar të shtënat e një arme.
Sipas një rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, burri i shqiptares e ka pritur në rrugë por nuk dihet nëse kanë pasur një diskutim para vrasjes. Më pas ai ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në kokë.
Autoritetet italiane janë vënë në kërkim të bashkëshortit të gruas, i cili rezulton problematik dhe nuk jeton më me viktimën.
Fëmijët e çiftit u rrëfyen hetuesve disa mosmarrëveshje që kishin ndodhur mes nënës dhe babait të tyre në të kaluarën por në polici nuk kishte asnjë ankesë.
Karabinierët kanë vendosur postblloqe përgjatë rrugëve të zonës.
Kërkimet janë shtrirë jo vetëm në të gjithë Valdelsan, por edhe përgjatë rrugës që shkon nga Castelfiorentino në Siena dhe gjithashtu drejt Firences.
Karabinierët kanë kontrolluar edhe në shtëpitë e braktisura por pa sukses.