Është zbuluar tashmë se kush e ka vendosur tritolin në lokalin e këngëtarit të njohur Noizy, në qershor 2022.
Ka qenë në fakt dëshmia e Artan Tafanit, tashmë i penduar i drejtësisë, ajo e cila ka zbuluar se lënda eksplozive është vendosur nga banda e Laert Haxhiut.
Ky i fundit, është një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ndodhet aktualisht në burg në Greqi.
Gjashtë vrasje dhe pesë shpërthime në objekte i janë atribuar këtij grupi, mes të cilëve edhe ai në lokalin e Noizyt.
Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 qershorit 2022, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të tjerë brenda dhe ngjarja mbeti vetëm në dëme materiale.
Pamjet e biznesit të artistit bënë xhiron e rrjetit asokohe, ku u aludua edhe një armiqësi me një tjetër këngëtar, Kleviol Ahmetin (Cllevio) mund të ishte shkak i shpërthimit.
Megjithatë, duket se dëshmia e fundit e Tafanit e rrëzon këtë tezë.