E ëma e Angus Cloud, në një intervistë për People ka treguar momentin kur e gjeti të birin të pajetë, si pasojë e overdozës, pasi kishte përzierë disa substanca narkotike.
Lisa Cloud u shpreh se e pa yllin e “Euphoria” në tryezën e dhomës së tij, në shtëpinë e tyre në Oakland, mëngjesin e 31 korrikut.
“Aty ndërroi jetë im bir”, tha ajo, duke rikujtuar se kishte menduar se Angus-in e kishte zënë gjumi para punëve të tij krijuese. Më pas, kuptoi se djali nuk do të zgjohej më kurrë.
“Nisa ta tundja dhe të bërtisja. E shtyva fort dhe ai ra në dysheme. U mundova t’i bëja frymëmarrje gojë më gojë”, tha ajo, duke shtuar se po bërtiste që ta dëgjonin fqinjtët, sepse nuk donte që ta linte vetëm dhe të telefononte policinë. “Më mungon shumë, ai ishte dashuria e jetës sime”, u shpreh Lisa.”
Nëna e aktorit shtoi gjithashtu se Angus ishte një i ri “kaq i bukur dhe kreativ”.
“Ai e donte shtëpinë dhe dhomën e tij të vogël”, përfundoi Lisa, referuar vendit ku Angus ndërroi jetë.
Aktori Angus Cloud ndërroi jetë në korrik nga një mbidozë aksidentale e kokainës, fentanilit dhe substancave të tjera, njoftoi të enjten zyra e mjekësisë ligjore në Kaliforni.
Shkaku i vdekjes së Cloud ishte “helmimi akut” për shkak të “efekteve të kombinuara të metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe benzodiazepinave”.
Aktori u shpall i vdekur në shtëpinë e prindërve të tij më 31 korrik në Oakland. Ai ishte 25 vjeç.
Angus Cloud u bë i famshëm në serialin “Euphoria” ku luajti rolin e shpërndarësit të drogës Fezco “Fez” O’Neill dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga personazhet e preferuar të fansave të serialit.
Ai nuk kishte lidhje me aktrimin para se të merrte pjesë në “Euphoria”. Angus po ecte në rrugë në Neë York kur Eléonore Hendricks, e cila rekruton talente, e vuri re. Cloud ishte skeptik në fillim, duke dyshuar për një mashtrim. Më pas, drejtoresha e kastit të aktorëve, Jennifer Venditti, u takua me të dhe krijuesi i serialit, Sam Levinson, përfundimisht e bëri një yll të “Euphoria” për dy sezonet e para.
“Nuk kishte asnjë si Angus. Ai ishte shumë i veçantë, shumë i talentuar dhe shumë i ri për të na lënë kaq shpejt.
Ai gjithashtu luftoi, si shumë prej nesh, me varësinë dhe depresionin. Shpresoj që ai ta dijë se sa zemra ka prekur. Unë e doja shumë. Do ta dua gjithmonë,” tha Sam Levinson për Hollywood Reporter.