Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku një 3-vjeçar është rrahur nga edukatoret në një çerdhe.
Video është bërë publike nga familjari, Fatos Geci, i cili e ka ndarë në Facebook, ndërsa shkruan se nipi i tij është rrahur brutalisht.
Ai u bën thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë, ndërsa thotë se nipi i tij ka pësuar trauma të mëdha.
“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë-Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve ‘Gëzimi ynë’, është rrahur brutalisht nipi im i preferuar Lisi, vetëm 3 vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qarte që po rrihet në derë pastaj tërhiqet zvarre, më pas e dërgojnë përsëri në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të 2 “mësueset” e kësaj çerdheje bashkë me pastruesen apo kuzhinieren! Nipi im ka pësuar trauma të rënda psikike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh. Kërkoj nga organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Idioteve dhe mostrave të tilla duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve. Dhunueset e tilla nuk e kanë vendin në arsim”, ka shkruar ai sipër videos.
Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it kanë shkuar në çerdhen në Fushë Kosovë.
Dy prindërit e fëmijës ndodhen në vendin e ngjarjes, ku kanë thënë se ishin thirrur nga edukatoret e çerdhes për tju treguar problemet që ka shkaktuar fëmija i tyre. Nëna e 3-vjeçarit ka treguar se fëmija gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht.
Familjarët kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të reagojnë në ndërmarrjen e veprimeve ndaj mësueseve, pasi 3-vjeçari, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar trauma të rënda psikike.
Përveç policisë në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.