Mund të duken të veshur bukur, me makina e shtëpi të bukura, apo me bileta avioni në dorë gati për udhëtimin e radhës, por edhe personazhet e njohur VIP diku, dikur kanë patur periudha të vështira ekonomike, madje ndonjëherë duke legjitimuar shprehjen ‘pa një kokërr leku në xhep’.
Në një intervistë për Bordo, aktori Visjan Ukcenaj ka bërë një rrëfim tejet të çiltër e të ndjerë për periudhën më të vështirë të jetës së tij sa i përket anës financiare, kur teksa partnerja Jona ishte në pritje të ëmbël situata ekonomike në shtëpi ishte në gjendje të mjerueshme.
Keni mbetur ndonjëherë pa asnjë lek në xhep? Në një situatë kur lekët duheshin?
Periudha më e vështirë e jetës time, sa i përket anës financiare për mua është viti 2018 kur ne patëm një tranzicion pasi u shkëputëm nga Vizion Plus në Tv Klan. Duke qenë se ishim në pritje të djalit, sapo kishim marrë një shtëpi më të madhe dhe ajo ka qenë në kuptimin e vërtetë të fjalës periudha kur mbetëm pa ‘kokërr leku në xhep’. Bashkë me Jonën, e cila ishte shtatzënë kërkonim nëpër xhepa pantallonash nëse ka mbetur ndonjë lek, dhe ajo ka qenë vera më e vështirë në jetën time dhe e vetmja që ne nuk kemi bërë asnjë ditë plazh nga mungesa e parave. Nuk kemi dalë fare nga shtëpia për disa javë me radhë. Natyra ime sedërlie nuk më linte të kërkoja ndihmë apo hua as nga familja ime…
Si ja dolët?
Ja dolëm me shumë krenari, pa ja shtrirë dorën askujt duke u mbështetur vetëm tek njëri tjetri, duke kursyer frikshëm edhe 100 lekshin për 3 muajt e asaj vere. Si me magji kur lindi im bir në shtator, çdo gjë nisi të ndryshojë me rrogat dhe me të ardhurat tona në familje. Ardhja e Divinit në jetën tonë përpos mbushjes shpirtërore solli si me magji begatinë që na kishte munguar aq shumë së fundmi.