Padyshim që një nga ngjarjet më të përfolura të kësaj vere do jetë dasma tashmë e konfirmuar e Arbanës dhe Eduartit, teksa prej ditësh në mediat rozë qarkullojnë detajet e mundshme rreth ceremonisë që do të zhvillohet në Toskana të Italisë.
Disa burime tregojnë që dasma e çiftit do të zhvillohet me shumë të ftuar, familje, miq dhe personazhe të njohur, ndërsa për të tjera bëhet fjalë për një ceremoni të vogël dhe intime, e gjitha e organizuar në shtetin fqinj, ku moderatorja dhe regjizori kanë udhëtuar shpesh ditët e fundit.
Ndërkohë së fundmi, i ftuar në “Top Albania Radio”, Armand Peza, me të cilin duket se çifti do të bashkëpunojë për ceremoninë, zbuloi se dyshja “i kanë vënë punët para”. Ndër të tjera ai tha se do jetë një dasmë e vogël me familjarë e miq të përbashkët:
“Sigurisht që do veshi gjëra të bukura, i ka vënë punët përpara. Shoh dëshirën e madhe të të dyve për dasmën, si të Arbanës ashtu edhe Eduartit. Punohet qetë dhe me qejf me ta. I kam miq prej kohësh, ua njoh shijet, mi dinë gustot, mi njohin dallgët. Këtë verë është dasma. Arbana dhe Eduarti kanë një rreth të gjerë shoqëror dhe nëse do bëhej në Shqipëri do ishte një event shumë i madh, por fakti që po bëhet jashtë nënkupton që do jetë diçka shumë e vogël, familjare, si dhe disa miq të përbashkët të çiftit që janë shumë pak. Arbana është shumë e lidhur me shtëpinë dhe familjarët e saj dhe ka vendosur prioritetet në jetë, bën gjërat që shijon vetë.”
Kujtojmë se lidhja e Arbanës dhe Eduartit u zbulua në vititn 2019 nga mediat, teksa në tetor të 2020-ës, ata u bënë prindër të një djali, Diellit. Në vitin 2022, erdhi në jetë edhe vajza e tyre, Zoi.