Gjatë një operacioni të ndërmarrë nga OSHEE dhe policia e shtetit janë proceduar penalisht pesë persona dhe është zbuluar një laborator ku prodhohedhin ‘bitcoin’.
Duke qenë se ky laborator kërkon një sasi të madhe energjie, mësohet se personat që e kishin krijuar vidhnin edhe energji elektrike.
Raportohet se lidhur me këtë ngjarje pronari i godinës, S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Në maj të vitit të shkuar Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” i cili i hapi rrugë zhvillimit të tregut të monedhave virtuale në Shqipëri. Megjithatë ligji ende nuk e lejon këtë aktivitet dhe nuk është licencuar.
Kujtojmë se një laborator i ngjashëm disa muaj më parë u gjet në rrugën “5 Maj” në Tiranë, në lokalin ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema. Po ashtu vjedhja e energjisë elektrike zbulon një laborator tjetër të kriptomonedhave në Fier, kamufluar në një fabrikë.
Sot në tregjet botërore vlera e një Bitcoin-i ka arritur në çmimin rekord prej 45929.07 euro për një monedhë virtuale, e cila mund të përdoret për të blerë aksione në bursa apo pasuri virtuale.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Operacioni policor i koduar “Kriptomonedha”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të kriptomonedhave.
Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Durrës dhe Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale.
Zbulohet dhe sekuestrohet një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave.
Procedohet penalisht pronari i ambientit, që ia kishte lëshuar me qira një personi tjetër.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personit që kishte ndërtuar laboratorin, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të disponuara nga këto struktura, se një shtetas kryente veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të kriptomonedhave, kanë mirorganizuar punën dhe kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Kriptomonedha”.
Si rezultat, në katin e parë të një objekti në pronësi të shtetasit S. D., i cili ia kishte lëshuar këtë ambient me qira një personi tjetër, shërbimet e Policisë konstatuan një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Shtetasi S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës.
Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: /News-31