Vëren këto sjellje te personi i zemrës? Na vjen keq por mbase po të tradhton!

Një gjë që rrjetet sociale dhe disa filma na e kanë mësuar shumë mirë janë se shenjat e tradhtisë, shpesh janë të vështira për t’u identifikuar, ama na kanë treguar edhe se si të jemi vigjilentë ndaj kësaj situate.

Disa shenja që tregojnë se ndoshta partneri/ja po të tradhton janë:

Të akuzon shpesh se ti po e tradhton

Kjo është klasike: Partneri/ja projekton tek ti veprimin e vet dhe sipas ekspertes dhe psikologes Caroline Madden, kjo është një “teknikë” që të mban ty të zënë me justifikime, që të mos e konsiderosh mundësinë se personi tjetër po të tradhton.

Po shpenzon më shumë para se zakonisht

Kur partneri/ja shpenzon më shumë para se zakonisht dhe ti nuk sheh sende materiale, ndoshta është në një fazë njohjeje dhe dhuratash me dikë tjetër.

Njohuri të reja në marrëdhënien seksuale

Partneri/ja ka njohuri dhe ide për pozicione të reja në seks dhe kjo ka ndodhur krejt papritur? Në disa raste, është shumë gjë e mirë, por në disa raste, është edhe një shenjë që tregon se mund të të tradhtojë.

Papritur partneri/ja bëhet shumë kritik ndaj teje

Në disa raste, tradhtarët përdorin kritikën dhe fajësimin për të justifikuar tradhtinë dhe duke të bërë të mendosh se lidhja ishte e tillë dhe s’kishte një zgjidhje tjetër përpos tradhtisë.

I kushton më shumë rëndësi pamjes

Nëse partneri/ja po i kushton më shumë rëndësi se zakonisht pamjes së jashtme, apo edhe po ndryshon stilin e veshjes, ndoshta duhet të tregohesh paksa më vigjilent/e, pasi me shumë gjasa është në fazë njohjeje me dikë tjetër.

Harron gjërat dhe historitë që të ka thënë

Nëse partneri/ja ndan gjithmonë gjëra me ty dhe rrëfen histori, por rishtazi harron nëse ta ka thënë ose jo, ndoshta po ia tregon edhe një personi të tretë.

Krejt papritur, ka hobi dhe interesa të reja

Sërish, mund të jetë ndikimi i një personi të tretë, i cili e ka prezantuar me pasione të reja.

Fjalë të reja në të folurën e përditshme

Nëse po dëgjon fjalë që s’i ke hasur më parë në të folurën e përditshme, sërish mund të jetë impakti i një personi tjetër.

Papritur të bën më shumë dhurata se zakonisht

I ke parasysh ato historitë nëpër filma kur burri tradhton dhe dhuron lule/fustane/çanta/këpucë? Teoria qëndron edhe në jetën reale, pasi tradhtarët nuk duan t’i kapësh mat, ndaj të dhurojnë të mira materiale për të të treguar dashurinë, por edhe për të shlyer ndjenjën e fajit.

E merr kudo me veten telefonin

Nëse e merr kudo telefonin dhe nga hiçi ndryshon kodet, limiton aksesin tënd në pajisjet e tij/saj teknologjike, mbase duhet t’i bësh sytë katër.

Sikur i shmangin daljet me ty

Besojmë se në këtë pikë jemi të qartë! Tradhtia kërkon përkushtim dhe nëse personi i tretë s’e di që ju jeni bashkë, mund të rrezikohen shumë gjëra.