Mes gjithë çfarë po ndodh, varianti Delta është ai që po frikëson më shumë njerëzit ditë pas dite. Deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast zyrtar i infektuar me variantin e ri të Covid-19, por Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se ka patur sinjale të pazakonta nëpër mostra.
“Varianti Delta ka prekur 104 vende të botës. Në laboratorin e ISHP-së kemi pasur sinjale të pazakonta të mostrave. Ne i kemi izoluar këto mostra dhe i kemi dërguar në Gjermani. Presim përgjigjen. Do të ishte e pamatur nga ana ime që të thoja se e kemi. Shifrat për të cilat flasim nuk janë të atij niveli. Varianti Delta është i studiuar mirë. Jemi përpara një varianti që qarkullon bollshëm në botë. Kjo lloj gjëje është e rëndësishme të kuptojmë që ky variant ka transmetueshmëri më të lartë. Kur lehtësohen masat ka histori shpërthimi. Nuk është vetëm Delta që qarkullon. Ne duhet të vaksinohemi.”- u shpreh Fico gjatë një interviste për Abc Neës.
Një tjetër dilemë e njerëzve, nisur nga kjo situatë është frika për një tjetër mbyllje të mundshme. Deri më tani gjasat që të përballemi me një tjetër karantinë janë të ulëta.
“Jo, nuk e parashikojmë, por nëse do të ketë ndryshime të numrave dhe të tilla përkeqësime që do të duan një rivlerësim të masave, patjetër do i rivlerësojmë. Ne kemi fokus që të vijojmë me vaksinimin, duke respektuar planin. Jemi të përgatitur për t’u ballafaquar me skenarë të një situate që është e ndryshme nga kjo. Mund të ketë një valë të tretë por amplituda e saj nuk mund të jetë me gjasa nga ajo që përjetuam në nëntor apo shkurt. Ka një përgjegjësi të detajuar për të gjithë skenarët, rritjes së kapaciteteve. Dokumenti do të jetë i plotë, do të ketë të gjithë sistemin të përgatitur.”