“U tmerrova kur mora vesh se djali im vrau një polic”, babai i Aldi Ramës me lot në sy: “Më përvëloi shpirti…”

Babai i Aldi Ramës, Rufan Rama, ishte sot në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live” për të folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë.

Ai tha se u “tmerrua kur mori vesh se djali i tij kishte vrarë një polic”, por sot “i përvëlon shpirti për humbjen e të birit”.

“Dje në mesditë më mori në telefon djali i madh dhe më tha se çfarë kishte ndodhur.

Kur më thanë se ka goditur një polic, shpresoja që të shpëtonte. Por u tmerrova kur mësova se një 44-vjeçar u vra, mbetën jetim dy fëmijë.

Por sot më përvëloi shpirti që mora vesh që djali im ndërroi jetë”, tha Rufani.

Ky i fundit shprehu ngushëllimet për familjen e policit të ndjerë, e me lot në sy shprehet:

“Nuk kam çfarë tu them. Çfarë tu them fëmijëve që ngelën jetimë, gruas që mbeti vetëm. Vetëm ngushëllime.

Më vjen keq për familjen e Saimirit, por më dhemb edhe shpirti për djalin tim. I kërkoj falje familjes së efektivit që vrau djali im”.