Një ngjarje vërtetë e rëndë ka tronditur të gjitha mediat dhe opinionin publik në mbarë botën.
Mbrëmjen e së shtunës më shumë se 150 veta humbën jetën në Seoul, Kore e Jugut, pasi u gjetën në mes të një turme njerëzish dhe nuk arritën të dilnin dot më.
Cfarë ndodhi konkretisht? Të shtunën në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, u dyndën në lagjen Itaewon të kryeqytetit korean për të festuar Halloween-in.
Ishte hera e parë pas 2 vitesh pandemi që një grumbullim i tillë masiv lejohej, në një zonë që njihet për jetën e natës, baret, restorantet, por edhe për rrugicat e pjerrëta dhe të ngushta.
E ndërsa njerëzit sa vinin e shtoheshin dhe turma bëhej më e madhe, po ashtu shtohej edhe paniku i të rinjve, të cilët e kishin gjithnjë e më të vështirë të merrnin frymë dhe të lëviznin për të dalë nga ajo zonë.
Rreth 154 veta humbën jetën dhe qindra të tjerë janë të lënduar, ndërsa deri më tani janë identikuar 150 prej viktimave.
Ndërkohë që vendi është në zi kombëtare (që mendohet se do të zgjasë 1 javë), autoritetet po përpiqen të zbulojnë përmes një hetimi të menjëhershëm sesi ajo që supozohej të ishte një festë përfundoi në një ngjarje të tmerrshme, e cila sipas raportimeve po ashtu i ka marrë jetën edhe një artisti të njohur të K-Popit, Lee Ji-han.
Artisti i ri, shumë i njohur në Kore dhe në mbarë botën nga fansat e K-pop, ishte mes personave që gjendeshin në turmën në sheshin e lagjes Itaweon. Lajmin për vdekjen e tij e konfirmoi kompania që e menaxhonte, 935 Entertaiment, duke e dhënë në këtë mënyrë lajmin e keq për 24-vjeçarin:
“Ne jemi të trishtuar që japim një lajm të tillë sot, por Lee Ji-han ka ndërruar jetë në tubimin në Itaewon mbrëmë. Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e tij, të cilët janë të pikëlluar nga lajmi i papritur tragjik, si dhe për të gjithë ata që e kanë dashur atë “