Christine Dawood, bashkëshorti i së cilës Shahzada dhe djali Suleman vdiqën në nëndetësen Titan, ka zbuluar se ajo kishte ndërmend të merrte pjesë në ekspeditë, por hoqi dorë në mënyrë që djali i saj të kishte mundësi të shkonte.
Familja kishte planifikuar një udhëtim me nëndetëse, tha Dawood për BBC në intervistën e saj të parë që nga tragjedia, por udhëtimi u shty për shkak të pandemisë së Covid-19.
Ajo kishte planifikuar ta bënte udhëtimin me bashkëshortin e saj, sepse Suleman ishte shumë i ri në atë kohë. “Pastaj u tërhoqa dhe i lashë vendin Suleman-it sepse ai me të vërtetë donte të shkonte”, tha ajo.
“Isha vërtet e lumtur për ta, sepse të dy donin ta bënin këtë udhëtim prej shumë kohësh,” shtoi ajo.
Ajo tregoi gjithashtu se 19-vjeçari ishte i fiksuar pas kubit të Rubikut, të cilin e mori me vete në nëndetëse. “Ai tha, ‘Unë do të zgjidh Kubin e Rubikut 3,700 metra nën det te Titaniku,” shtoi ajo.
Familja Dawood është një familje e njohur e botës së biznesit në Pakistan. Dawood Hercules Corp., biznesi i tyre, është ndër kompanitë më të mëdha në vend dhe përfshin energjinë, petrokimikat, teknologjinë e informacionit dhe ushqimin dhe bujqësinë.
Shahzada dhe Suleman iu bashkuan një ekspedite me nëndetësen Titan për të parë rrënojat e Titanikut. Nëndetësja u zhduk më 18 qershor, rreth 1 orë e 45 minuta pas zhytjes së saj. Të enjten, mbeturinat nga nëndetësja u gjetën nga ekipet e kërkimit, duke treguar se Titan kishte pësuar një shpërthim katastrofik duke shkaktuar vdekjen e pesë personave në bord.