Rutina juaj e mbrëmjes me shumë gjasë duket kështu: Lani dhëmbët, fytyrën, vishni pizhamat, shtriheni dhe shihni video në TikTok e Instagram derisa fillojnë t’ju mbyllen sytë. Pastaj, natyrshëm, ju kaloni 8 orët e ardhshme me ëndrra që duken të ndikuara në mënyrë të dyshimtë nga videot që patë para se të flinit.
Është jashtëzakonisht e vështirë të kuptosh marrëdhëniet midis asaj që ndodh në orët tuaja të zgjimit dhe ëndrrave, por ka disa të dhëna për këtë. Sa më shumë që mendoni ose shqetësoheni për diçka kur jeni zgjuar për shembull, aq më shumë ka të ngjarë të mendoni për të ndërsa jeni duke fjetur. Gjatë pandemisë, një studim zbuloi se ëndrrat e këqija dhe stresi u bënë të zakonshme dhe ëndrrat me sëmundje dhe probleme shëndetësore ishin veçanërisht të shpeshta.
TikTok ndikon te ëndrrat duke ngatërruar modelet tuaja të gjumit
“TikTok është krijuar për t’ju mbajtur duke lundruar nëpër aplikacion (scrolling) edhe kur jeni të përgjumur”, thotë neuropsikologja Sanam Hafeez për Bustle, “dhe kjo mund të ndikojë në atë se sa pushoni”. “Ne kemi një sistem të brendshëm shpërblimesh, dhe kur marrim gjëra që dëshirojmë, truri ynë çliron dopaminë, duke na lejuar të ndjejmë kënaqësi. Sa herë që vazhdoni të lëvizni nëpër TikTok, truri juaj lëshon pak dopaminë, duke krijuar një lak reagimesh në tru. I gjithë ky proces ndikon te ëndrrat tuaja, duke ju privuar nga gjumi i qetë.”
Në 2020-ën, studiuesit vunë re se “kur njerëzit flenë më pak, ata priren të ëndërrojnë më shumë dhe ëndrrat janë më të forta”. Hafeez thotë se nëse po qëndroni zgjuar në TikTok gjithë natën – dhe nëse lejoni që dritat e telefonit të ngatërrohen me ritmet tuaja cirkadiane të gjumit (të cilat i tregojnë trupit kur të fle dhe kur të zgjohet), ka të ngjarë të keni probleme me gjumin. Rezultati? Ëndrra jashtëzakonisht të gjalla.
Një TikTok emocional mund të ndikojë te ëndrrat tuaja
TikTok nuk ka të bëjë vetëm me argëtimin. Nëse një video apo një profil i caktuar ju ofron një lloj mbështetjeje emocionale, ka më shumë të ngjarë të ndikojë në ëndrrat tuaja.
“Një nga teoritë në lidhje me funksionin e ëndrrave është se ëndërrimi lejon që përmbajtja emocionale e përvojave të përpunohet”, thotë neurologu Guy Leschinzer. “Në thelb, nëse keni përjetuar një ngjarje me emocione shumë të forta të lidhura me të, ëndërrimi lehtëson depozitimin e kujtesës së asaj ngjarjeje”.
Nëse shihni një histori në TikTok që ju bën të rimendoni të gjithë marrëdhënien me nënën tuaj për shembull, ju mund të ëndërroni për këtë ndërsa truri juaj e përpunon videon për ta ruajtur në kujtesën tuaj. Pra, nëse keni qarë me një video në TikTok ose keni qëndruar gjithë natën zgjuar duke parë videot e të njëjtës sfidë, nuk është çudi që aplikacioni të ndikojë te ëndrrat tuaja.
/bustle, anabel