Ditë më parë televizioni “Top Channel”, zbuloi se janë hapur audicionet për spektaklin e famshëm, që pritet prej disa vitesh, “Big Brother VIP”. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit spektakli do të bëjë pjesë të shtëpisë më të madhe njerëz të famshëm, të cilët duhet të mësojnë të jetojnë larg komoditeteve të jetës së përditshme.
Së fundmi, gazetari i njohur, Eraldo Rexho ka zbuluar disa detaje për spektaklin që pritet të nisë në sezonin e ri televiziv.
I ftuar në programin veror, “Pushime On Top”, Eraldo tha se ai është pjesë e grupit të punës në fazën parapërgatitore të spektaklit.
“Unë kam pranuar të jem pjesë e skuadrës së ‘Big Brother VIP’ në fazën parapërgatitore. Momentalisht po punojmë për një edicion super fantastik të ‘Big Brother VIP 1’. Kështu që unë di të them angazhimin tim deri në këtë moment. Se çfarë do ndodhë pas shtatorit, do mbetet për t’u parë në tetor, kur besoj se do të nisë ‘Big Brother’, u shpreh ai duke zbuluar kështu edhe kohën kur do të nisë spektakli.
Përsa i përket personazheve që do të jenë pjesë e edicionit të parë të BBV, Rexho tha se pjesa më e madhe e tyre janë vendosur, ndërsa preferoi që të mos zbulonte ndonjë emër.
“Asnjë emër, nuk bëhet fjalë. Por, unë mendoj se janë mbyllur 90 për qind e banorëve VIP të Big Brother”.