Pretendohet se Lori Hoxha ka reaguar përmes një Instastory të publikuar në close friends, duke i kthyer përgjigje gazetares Sonila Meço, e cila i quajti banorët (dhe publikun) “kavie” të produksionit të “BBVA”.
Sonila bëri një postim në Instagram dhe shkroi:
“Kavie, kavie, kavie….Të rritur mjaftueshëm për t’i konsideruar viktima, të provokuar rëndshëm për t’u ulëritur moralin në fytyrë, të përdorur keqaz për t’u bërë gjyqin, të përfshirë me miratimin e tyre për t’u manipuluar, në një laborator mediatik, ku rregullat ndryshojnë arbitrarisht, ku loja ngatërrohet me koshiencë me jetën reale, sipas nevojës së audiencës, ku qëllimi justifikon mjetin, shikueshmëria skandalin, spektakli politikën, morali padrejtësinë dhe dhoma e rrëfimit justifikon ekuilibrat e forcës. Aty ku dashuria stimulohet me çdo kusht për lojë e loja çon për skrap dashurinë. Aty ku të çojnë me pahir në një puthje, për ta përdorur po atë pahir për të prodhuar “dhunën”. Aty ku mbijetesa sigurohet vetëm nga intriga, por të “vrasin” me fjalime patetike mbi njerëzillëkun”.
Sonila shtoi edhe mendimin e saj për publikun:
“Dhe në fund, të dëmtuarit e mëdhenj janë kaviet jashtë laboratorit që presin drejtësi nga një lojë, në një TV privat, me skenar, sponsora dhe fitime marramendëse prej përfshirjes së tyre. Kavie brenda e kavie jashtë…Vëllai i Madh brenda e Shefi i Madh jashtë…”, shkroi Sonila.
Lidhur me këtë deklaratë thuhet se ka reaguar Lori Hoxha:
“E keni parasysh ai (atë) grupi(n) cool i (të) shkollës, që me të mirat, me të këqijat e veta, prapë është cool dhe ti në thelb, i ke inat, por nëse ata do të të ftonin të haje drekën me ta, ti do t’i lije edhe shokët e fëmijërisë në baltë, vetëm që të uleshe një herë me ta? Yeh, kavie, të gjithë, nga pak”, shkruhej në foton e postuar nga Lori por që vetëm miqtë e saj të ngushtë mund t`a shohin.