Këngëtarja e njohur me famë botërore, Pink, është përballur me një situatë aspak të këndshme, teksa ishte duke kënduar në një koncert në kryeqytetin e Anglisë, Londër.
Situata e sikletshme ndodhi kur, teksa Pink po performonte, një fanse i ka hedhur në skenë një qese me hirin e nënës së saj të vdekur, veprim ky që tronditi jo pak këngëtaren.
Në këtë moment, Pink ndaloi së kënduari, mori qesen dhe e mbajti përpara turmës, duke iu drejtuar fanses që bëri veprimin:
“A është kjo nëna jote? Nuk e di se si ndihem për këtë”.
Pas kësaj, këngëtarja e vendosi hirin e supozuar në skenë dhe nisi të këndonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë njërën prej këngëve të saj më të njohura “Just Like a Pill”.
Sipas mediave amerikane, 43-vjeçarja po vijon turneun e saj nëpër botë, duke përfshirë shumë ndalesa në SHBA, përpara se ta mbyllë atë në muajin mars të 2024 në Australi .