Pamje të rënda janë publikuar nga tragjedia që ndodhi sot në Himarë, ku një vajzë 7-vjeçare gjeti vdekjen teksa lahej në breg pasi u godit nga një skaf.
Pushues të shumtë kanë filmuar pamjet pak sekonda nga ngjarja tragjike, ndërsa i afrohen skafistit Arjan Tase, duke i kërkuar llogari për atë që kishte bërë. Mes të tjerash në këtë video pushuesit dëgjohen të thonë se drejtuesi i mjetit një ish-efektiv policie ka kanosur dhe familjarët e vajzës së mitur.
“Shikoni, shikoni monstrën si bën trimin akoma. Mbylle mor gojën, kërcënoji, kërcënoji ato që iu vrare fëmijën, plumbin do hash. Ke gojë dhe flet ti”, dëgjohen që ti thonë pushuesit drejtuesit të skafit.
“Çfarë janë këta mor, shihni dhe si rri, çfarë është ai mor, çfarë është ai?”.thotë një pushues tjetër.
“A ke fëmijë ti ore” dëgjohet një pushues të thotë.
Në një moment vetë Arjan Tase dëgjohet teksa thotë “Jam unë… Nuk doja”.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues , dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën.