Fakti që Serbia është vendi me më shumë importe në Kosovë ka shkaktuar reagime të shumta. Mes personave të revoltuar është edhe Ardit Gjebrea i cili teksa publikuar një pjesë nga lajmi në Instastory shprehet se kjo gjë është ditur prej kohësh. Ai shton se është turp për pushtetarët që mbushin xhepat e njerëzve me atdhetarizëm, ndërsa xhepat e tyre dhe të serbëve me para
“Kjo gjë dihet me kohë, por turp për ata që mbushin xhepat e shqiptarëve me atdhetarizëm, ndërsa xhepat e tyre dhe të atyre që vranë – me para. Si na quajti ambasadori amerikan? Dele. E deri sa delet nuk dinë ku të gjuajnë, shshsh”, shkruan Gjebrea me ironi.
Gjithashtu, ai ka risjellë në kujtesë një shkrim të tij, kur ju bënte thirrje shqiptarëve që të mos blinin më mallra serbe.
“Që në vitin 2014 e kam thënë!”, shkruan moderatori.
Por, si e “ripushtoi” Serbia-Kosovën?
Sipas një raporti nga “Agjencia e Statistikave të Kosovës” Serbia ka pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës. Ajo renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e parë, kurse Shqipëria, e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut, 5.2%. Importet nga vendet e CEFTA-s në periudhën janar-qershor 2021, arritën në 390 milionë euro, ose 19% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67%.
Nga Serbia, importet u rritën me 143%, nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%. “Agjencia e Statistikave” thotë se nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe, apo 17%, ndjekur nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, me 13.4%.
Çfarë po e pengon Kosovën e Shqipërinë të bëjnë tregti?
Ndër pengesat kryesore të identifikuara deri më tani kanë të bëjnë me dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e Shqipërisë; pagesa për skanim të mallrave në Portin e Durrësit, pavarësisht destinacionit final; tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare e shumë të tjera.
Ndërkohë, edhe “Aleanca Kosovare e Bizneseve”, kishte vlerësuar se eksportet e të dyja vendeve janë vështirësuar, për shkak të burokracisë dhe të fuqive të disa korporatave të mëdha që i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës.
Kurse “Oda Ekonomike e Kosovës” tha se pengesat më të shumta për eksportuesit e Kosovës kanë të bëjnë kryesisht me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, përkundër marrëveshjeve të shumta që kanë mbetur ende pa zgjidhje.
Burimi: /News-31