Pasi rrëmbyen kupën e “Dancing With The Stars”, Sara Hoxha dhe balerini Luixhino ishin të ftuarit specialë të sezonit të ri në “N’majë t’gjuhës”.
Në një intervistë ndryshe, përballë Xheraldina Vulës ata ndanë me publikun detaje interesante.
Përgjatë asaj eksperience të bukur, cili është komenti me të cilin Sara dhe Luixhino janë përballur më shpesh? Me siguri të gjithë jeni duke menduar të njëjtën gjë: raporti që dyshja krijuan.
Balerini u shpreh se gjatë gjithë atyre muajve merrte pafund mesazhe dhe komente nga njerëz të cilët mendonin se ai dhe Sara kishin krijuar një lidhje.
Madje Luixhino tregoi se shumë prej tyre i ktheheshin dhe kundër me fjali tipike si: “si nuk ju vjen turp”.
Me shumë sportivitet edhe Xheraldina pohoi se edhe ajo ka marrë mesazhe me këtë tematikë, të llojit: “shihe çfarë bën nusja jote”.
Por në fakt askush nuk është ndikuar nga asnjë koment. Ashtu siç e tha edhe vetë Sara, njerëzit duhet ta kuptojnë që një vajzë mund të ketë shokë.
Moderatorja tregoi se Luixhino është bërë një person shumë i dashur edhe për familjarët e Sarës edhe për të Ledrit.