Gjatë puntatës së radhës të spektaklit të kërcimit “Dance with me”, Alketa Vejsiu njoftoi se “X Factor Albania” do të rikthehet në Tv Klan dhe audicionet do të zhvillohen në çdo qytet të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Jemi në një program shumë të bukur, i cili të detyron të vallëzosh. Shqipëria vallëzon me ne, do të këndojë pas “Dance with me” me “X Factor”, sepse do të kthehemi në sezonin e ardhshëm televiziv me një program për të cilin na ka marrë malli shumë, sepse janë rigjeneruar brezat dhe ka shumë talente që këndojnë.” – u shpreh Vejsiu.
Më pas shtoi: “Le të mos këndojnë vetëm në Instagram, Tik Tok dhe Facebook, por le të vijnë ta provojnë emocionin e vërtetë të skenës sepse mendoj që ka ardhur vërtet momenti për të ripërtërirë brezin e artistëve të rinj.”
Sezoni i parë i “X Factor Albania” u transmetua në vitin 2012, ndërsa i fundit (sezoni i katërt) në 2015-n. Konkurrentët që fituan çmimet e para janë Sheila Haxhiraj, Arilena Ara, i ndjeri Ergi Dini dhe Edea Demaliaj.
Një nga anëtaret e jurisë së “X Factor Albania” mendohet të jetë Arilena Ara, pas një postimi të mëparshëm të Alketa Vejsiut, e cila i kërkonte falje dhe shkruante se i presin gjëra të bukura së bashku.
Ky pozicion do t’i qëndronte mirë Arilenës duke iu referuar faktit se ka qenë pjesë dhe fituese e konkursit muzikor dhe gjithashtu ka përvojë si anëtare jurie në “The Voice of Albania”, një format disi i ngjashëm me “X Factor”.