Keni dëgjuar për “Mu“? Është varianti më i ri i Covid-19 që ka shqetësuar së fundmi Organizatën Botërore të Shëndetit.
Ku dhe kur u identifikua për herë të parë? Në Kolumbi në janar të këtij viti.
Çfarë e shqetëson OBSH? Fakti që “Mu” ka rrezik të jetë rezistent ndaj vaksinave.
“Varianti Mu ka një sërë mutacionesh që tregojnë vetitë e mundshme të shpëtimit imunitar,” thuhej në një deklaratë të përjavshme të OBSH-së, duke theksuar se duheshin studime të mëtejshme për ta kuptuar më mirë atë. “Megjithëse prevalenca globale e variantit Mu në rastet e renditura ka rënë dhe aktualisht është nën 0.1%, prevalenca në Kolumbi (39%) dhe Ekuador (13%) është rritur vazhdimisht.”
Si paraqitet situata në Europë? Të paktën 32 raste të variantit “Mu” janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe besohet se infeksioni në të shumtën e rasteve ka ardhur prej udhëtimeve nga jashtë dhe kryesisht tek persona në të 20-at e tyre. Ekziston një shqetësim i madh mbi shfaqjen e mutacioneve të reja të virusit, pasi normat e infeksionit po rriten përsëri, të nxitur nga varianti shumë ngjitës Delta.
Të gjithë viruset, përfshirë SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19, ndryshojnë me kalimin e kohës dhe shumica e mutacioneve kanë pak ose aspak efekt në vetitë e virusit. Por mutacione të caktuara mund të ndikojnë në vetitë e një virusi dhe të ndikojnë në lehtësinë e përhapjes së tij, ashpërsinë e sëmundjes që shkakton dhe rezistencën e tij ndaj vaksinave, ilaçeve dhe kundërmasave të tjera.
OBSH aktualisht identifikon pesë variante shqetësuese të koronavirusit, përfshirë Alpha, i cili është i pranishëm në 193 vende dhe Delta, i pranishëm në 170 vende.