Ditët e fundit është mbajtur në Prishtinë festivali i njohur i filmit “Pri Film Fest”, një event sa i rëndësishëm për kulturën, por edhe i mbushur me emocione këtë vit, pasi themeluesja Vjosa Berisha për herë të parë nuk ishte pjesë e tij.
Ajo humbi jetën në muajin qershor, pas një betejë të gjatë me sëmundjen.
Në nder të saj slogani i festivalit këtë edicion ishte: “Vjosa Forever PriFest”, ndërsa regjizorja e njohur, e cila ishte pjesë edhe e Akademisë Evropiane të Filmit, u kujtua shpesh gjatë eventit.
Bashkëshorti i saj, regjizori Fatos Berisha, në një fjalim për mediat tha se energjia e Vjosës bëri të mundur që ky festival të realizohej këtë vit, pasi ishte shumë e vështirë të organizohej në mungesë të saj.
“Ishte shumë vështirë. Nuk e di se si ia dolëm. Ishte mungesë emocionale, por ajo ka qenë një lloj lokomotive që na tërhiqte. Energjia jonë na mbajti që ta mbajmë këtë festival për nder të saj. I gjithë festivali është në nder të saj, dhe slogani i festivalit do të jetë ‘Vjosa Përgjithmonë”,- u shpreh Berisha.
Ndërkohë një tjetër artiste që ka bërë një dedikim për regjizoren e ndjerë ka qenë Dua Lipa.
Këngëtarja shqiptare ka shpërndarë një postim në rrjetin social Instagram, nga faqja zyrtare e PriFest, një falenderim emocional më saktë ku shkruhej:
“Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen dhe fjalët e mira që i dhatë këtë javë për Vjosën. Faleminderit shumë krejt stafit dhe vullnetarëve të @prifest për punën e palodhshme na keni lehtësu sadopak dhimbjen e papërshkrushme që po e ndjejmë në mungesë të saj. Falenderim i veçantë dhe respekt pafund për ty Dadush @fatossberisha që ke mbrri me e organizu kaq mirë këtë edicion përkundër krejt vështirësiv. Ota is proud of you! Ju dua ma s’shumti! “
Bashkangjitur me të Dua shkruan: “Ota, për të!”, teksa përmend edhe PriFest-in.