Në muajin janar, ylli i muzikës pop Shakira i habiti të gjithë kur publikoi këngën e re me Bizarrap.
Këngëtarja e famshme synonte të thumbonte ish-partnerin e saj Gerard Pique dhe të dashurën e tij të re, Clara Chia.
Kjo këngë shpejt u bë hit dhe Shakira nuk hezitoi të bënte të njëjtën gjë me projektin e saj të ri, ‘TQG’, së bashku me Karol G.
Normalisht që edhe në këtë këngë nuk mund të mungonin “thumbimet” dhe mesazhet e fshehura.
Edhe pse kënga ka kaluar mbi 70 milionë shikime në YouTube për një periudhë kaq të shkurtër, duket se disa fansa e kanë kritikuar këngëtaren për një tjetër dedikim ndaj Gerard Pique.
“Pse po më kërkon nëse e di që nuk i përsëris gabimet, thuaj femrës tënde të re që nuk konkurroj për meshkuj”, është pjesë e refrenit të kënduar nga Shakira dhe Karol G.
Duke nisur nga kjo fansat e Shakiras kanë filluar të ndjejnë keqardhje për të.
Dikush komentonte: “Ka kaq shumë inat në ty. Ji e lumtur. Kjo po bëhet dëshpëruese. Mjaft më. Është koha për diçka origjinale, jo vetëm këngë si kjo”.
Dikush tjetër komenton: “Shakira nuk je e vetmja grua në botë që është tradhtuar. Është koha për të parë përpara. A ka fund kjo?”
Rikujtojmë se pasi Shakira dhe Pique njoftuan zyrtarisht se nuk janë më bashkë, këngëtarja ka publikuar tri këngë që flasin për tradhtinë e spanjollit dhe prishjen e lidhjes së tyre 12-vjeçare.