Hakerat që qëndrojnë pas grabitjes më të madhe të monedhave dixhitale kanë kthyer më shumë se 610 milionë dollarë.
Platforma Poly Network, e cila ishte pak e njohur para grabitjes së së martës, e konsideroi hakerin në Twitter si një “white hat”, duke iu referuar hakerave etikë të cilët në përgjithësi synojnë të ekspozojnë dobësitë kibernetike dhe nuk prishin sistemet kompjuterike.
“Procesi i shlyerjes ende nuk ka përfunduar,” tha Poly Network. “Për të siguruar rikuperimin e sigurt të aseteve, ne shpresojmë të mbajmë komunikim me z.White Hat dhe t’i përcjellim informacione të sakta publikut.”
Një person që pretendon se ka kryer vjedhjen tha se Poly Network i ofroi atij një shpërblim prej 500,000 dollarësh për të kthyer kriptomonedhat dhe premtoi se ai nuk do të ishte përgjegjës për incidentin, sipas mesazheve të shpërndara në Twitter nga Tom Robinson, shkencëtari kryesor dhe bashkëpunëtori themelues i Elliptic, një firmë për gjurmimin e kriptomonedhave.
Hakeri apo hakerat, ende të paidentifikuar, duket se kanë shfrytëzuar një dobësi në kontratat dixhitale që Poly Network përdor për të lëvizur asetet midis blockchains të ndryshëm, sipas kompanisë kriminalistike Chainalysis. Blockchain është teknologjia themelore kriptografike që e bën transferimin e monedhave.
Disa analistë mendojnë se ata mund ta kenë pasur shumë të vështirë që të pastrojnë kriptomonedhat e vjedhura. Sipas Chainalysis, hakerat kanë vjedhur “për argëtim” dhe e kanë “marrë sulmin më shumë si sfidë”.
Vjedhja tregon rreziqet e sektorit DeFi (financat e decentralizuara), thonë ekspertët e kriptomonedhave. Platformat DeFi lejojnë përdoruesit të kryejnë transaksione, zakonisht në kriptovaluta, pa ndërmjetës tradicionalë si bankat, brokerat apo pikat exchange.
Burimi: /The Guardian, /Forbes, /Anabel