Ditën e sotme, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e emisionit të tij të ri, më saktë të podcast-it të tij të ri, “Flasim”, një format bisede ku kreu i qeverisë do të jetë në rolin e moderatorit dhe bashkëbiseduesit, me të ftuar nga të gjita fushat, madje duke ja lënë hapur derën e programit edhe kundërshtarëve të tij politikë.
E meqë jemi tek kundërshtarët e tij në politikë, nuk ka vonuar shumë dhe Sali Berisha ka njoftuar se edhe ai do të nisë podcast-in e tij, sipas tij një format që ai e ka menduar disa muaj më parë dhe puntatën e nisjes e ka regjistruar që në dhjetor, teksa emisioni i kreut të PD-së mban emrin e thjeshtë: “Jeta përtej poltikës”.
Ish-kryeministri me anë të një postimi në rrjetet sociale shpjegon se ngjarjet e fundit e kanë detyruar që ta shtyjë nisjen e emisionit që e ka në “sirtarin dixhital” prej muajsh, ndërsa bën me dije se ka parë edhe njoftimin e rivalit të tij politik për podcast-in e tij dhe shprehet se është “disa muaj i vonuar” në këtë format.
Ndërkohë ajo cka tërheq vëmendjen është fakti se Berisha e ka ftuar Ramën në debat, në cilindo prej podcast-eve të tyre dhe uron që ai të gjejë kurajon e të përballet me të.
Nga e gjithë kjo më i humbur del Blendi Fevizu, që nuk do ta ketë debatin mes tyre në studion e tij, ndërsa të fituarit do të jemi ne që kemi dy liderat politikë kryesorë me emisionet e tyre.
Pra bëhuni gati, më në fund (me shumë gjasë) do të kemi një përballje direkte mes Berishës dhe Ramës. E nëse kryeministri nuk pranon, do kemi një përballje indirekte, se kush ka podcast-in më të mirë.