Aktori i njohur i serialit të famshëm ‘Game of Thrones’, Kit Harington (Jon Snow) është shprehur për “Hollywood Reporter” se ai kishte pasur kriza nervore gjatë realizimit dhe fundit të këtij seriali.
Aktori tha se atij i është dashur të bënte një vit pushim nga xhirimet dhe vuri në dukje se natyra e dhunshme, intensive dhe emocionale e serialit i ka dhënë atij një avari në realitet.
“Kam pasur probleme me shëndetin mendor gjatë realizimit të serialit. Dhe për të qënë i sinqertë edhe gjatë fundit të tij. Unë mendoj se ato ishin të lidhura me natyrën e serialit dhe atë që kam bërë prej vitesh’”, është shprehur Harington.
Në maj të vitit 2019, datë kjo që përkon me përfundmin e serialit, aktori u shtrua në spital në një qendër të shëndetit mendor.
Periudha stresuese, abuzime me alkoolin dhe çështje personale për t’u zgjidhur për aktorin e “Game of Thrones”, i cili mesa duket nuk i ka rezistuar dot peshës së suksesit të madh dhe në këtë mënyrë i është nënshtruar një periudhe rehabilitimi psikologjik.
Shkëputja për një periudhë të gjatë nga aktimi e ka ndihmuar atë që të përzgjedhë rolet që janë më të përshtatshme për të dhe shëndetin e tij mendor, ashtu siç dëshmohet dhe nga paraqitja e tij në sezonin e dytë të “Dashuria moderne”, një zhanër krejt ndryshe ky nga “Game of Thrones”.