Mbretëresha Elizabeth u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare në fillim të këtij muaji, më saktësisht në 8 shtator, në kështjellën Balmoral.
Pas tre javësh, kur u bë parada kombëtare në nder të saj, funerali me liderat e të gjithë botës dhe kur është mbajtur edhe periudha e zinës nga monarkia, familja mbretërore i është rikthyer normalitetit.
Megjithatë, ka disa pyetje në lidhje me vdekjen e saj dhe veçanërisht certifikatën e saj të vdekjes, pyetje që e kanë marrë përgjigjen sot.
Dokumenti i saj i certifikatës së vdekjes është publikuar dhe ka zbuluar që shkaku i largimit të Elizabeth nga jeta ishte “pleqëria”, pra për shkaqe krejt natyrale.
Certifikate u nënshkrua nga vajza e saj, Princesha Anne, ndërsa vdekja e Mbretëreshës u regjistrua në Aberdeenshire më 16 shtator, nga Sekretari i Përgjithshëm për Skocinë, Paul Lowe.
Ndërsa, kur Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99-vjeçare, nuk pati asnjë njoftim nga Pallati dhe një muaj më vonë, doli se shkaku i vdekjes së tij ishte po ashtu “pleqëria” ose mosha e thyer.
Raporti i tij i vdekjes tregoi se nuk kishte asnjë sëmundje ose lëndim tjetër që kontribuoi në vdekjen e tij, duke përfshirë zemrën që kërkonte operacion vetëm disa javë para se të vdiste.