Pas 80 vitesh, kritika rrëzon nga froni 100% në Rotten Tomatoes një nga filmat më të mirë në histori

Një kritikë që daton 80 vite më parë e ka prishur vlerësimin 100% të filmit “Citizen Kane” në faqen e përmbledhjes së vlerësimeve, Rotten Tomatoes

Një përdorues i Twitter-it vuri në dukje ndryshimin e vlerësimit të “Citizen Kane” për shkak të një kritike negative të shkruar në vitin 1941. Nuk është e qartë se kur Rotten Tomatoes e ka hedhur kritikën, por faqja në internet me emrin Boing Boing sugjeron që ka ndodhur midis 25 shkurtit dhe 15 prillit, pasi ka krahasuar disa pamje të arkivuara

 

Kritika u botua në Chicago Tribune më 7 maj 1941, me titullin “’Citizen Kane’ nuk arrin t’i bëjë përshtypje kritikut si filmi më i madh ndonjëherë”, një javë pasi filmi u shfaq për herë të parë në New York dhe një ditë pas premierës në Chicago. Autori i artikullit, me pseudonimin Mae Tinee shkruan: “Është interesant. Është ndryshe. Në fakt, është aq i çuditshëm sa mund të mos bëhet më. Po sakrifica e thjeshtësisë ndaj të çuditshmes i heq dallimin dhe vlerën e përgjithshme të argëtimit”.

Artikulli nënkupton që statusi i “Citizen Kane” si filmi më i mirë i të gjitha kohërave ishte një lojë para se të dilte në treg. Duket se interesi për filmin është ringjallur pas filmit fitues në Oscars 2021, “Mank”, subjekti i të cilit ndërtohet te historia e skenaristit të alkoolizuar Herman J. Mankiewicz teksa përpiqet të përfundojë skenarin për “Citizen Kane”.

Filmi i vitit 1941 me regji të Orson Welles shqyrton jetën dhe trashëgiminë e Charles Foster Kane, luajtur po nga Welles, një personazh i bazuar pjesërisht te manjatët e mediave amerikane si William Randolph Hearst, Joseph Pulitzer, Samuel Insull dhe Harold McCormick, si edhe te aspekte të jetës së skenaristëve. Edhe pse nuk gjendet më në listën e Rotten Tomatoes me filma të vlerësuar 100%, “Citizen Kane” konsiderohet si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave.