Vetëm disa javë më parë u raportua se Jamie Spears, babai i Britney Spears, pretendon se këngëtarja ka probleme me shëndetin mendor, prandaj duhet të vazhdojë ta mbajë nën kujdestari.
Në disa dokumente të dorëzuara në një gjykatë në Los Angeles, ai thotë se kujdestarja e caktuar nga gjykata, Jodi Montgomery, ka rekomanduar se artistja duhet të vendoset në një spital psikiatrik gjatë një telefonate që ka bërë me të.
Por, duket se ai ka ndryshuar mendim dhe ka pranuar të japë dorëheqjen nga kujdestaria e vajzës së tij.
Sipas mediave të huaja kjo kthesë është fitore e madhe për yllin e popit, e cili ka qenë nën një kujdestari për 13 vjet nga i ati.
Raportohet se ditën e djeshme, ai ka paraqitur në Gjykatën Supreme të Los Angeles përgjigjen e tij ndaj peticionit të këngëtares, duke njoftuar vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen.
Ai ka thënë se do të bashkëpunonte me gjykatën për një tranzicion, por nuk dha një afat kohor për dorëheqjen e tij.
Kujtojmë se Britney tronditi botën disa javë më parë kur tregoi para gjykatës se i është nënshtruar vlerësimeve të shumta psikike, ilaçeve dhe se është traumatizuar nga i ati, Jamie.
Këngëtarja deklaroi se nuk mund të mbetet shtatzënë për shkak të rregullave ligjore, që u vendosën në fuqi në 2008, sepse kujdestarët e saj nuk aprovojnë heqjen e kontrollit të lindjes.
Ajo zbuloi se ka pirë litium, një ilaç që pihet për çrregullimin bipolar, kundër dëshirës së saj dhe se kjo e ka bërë të ndihet e dehur dhe të paaftë për të biseduar.
Burimi: /News 31