Studentët i rikthehen sot auditoreve duke shënuar nisjen e vitit të ri akademik 2022-2023, por në ndryshim nga vitet e tjera këtë vit pedagogët nuk kanë qenë në auditore për të mirëpritur studentët e tyre. Në vend të tyre, ata kanë gjetur vetëm disa pankarta për t’ju bashkuar protestës së tyre e cila ka disa ditë që ka nisur.
Pedagogët janë shprehur të vendosur se nuk do të ndalin protestat pa u plotësuar kërkesat e tyre, duke nisur nga rritja e pagës dhe kushtet në auditore.
Rritja e pagës deri në 15 %, ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit nuk është mirëpritur nga ana e tyre. Ndërkohë një ditë më parë ministrja e arsimit, Evis Kushi ndërsa uroi studentët për vitin e ri akademik, një mesazh iu drejtoi edhe stafit akademik.
Statusi i plotë:
Të dashur studentë dhe pedagogë, Dua ta nis me një urim shumë të përzemërt për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm për të gjithë ju!
Veçanërisht ju që uleni për herë të parë në auditoret e universiteteve, ju përgëzoj që pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, keni zgjedhur të hidhni hapa të mëtejshëm në rrugëtimin drejt dijes, një rrugëtim i gjatë sa vetë jeta.
Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu.
Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare.
Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare. Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore.
Dua t’ju falënderoj me zemër që keni vendosur të studioni në Shqipëri, duke i besuar ndër të tjera edhe procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve. Ky proces do t’i japë edhe më shumë cilësi dhe vlerë diplomës suaj, duke u afruar më shumë me universitetet më prestigjoze evropiane e botërore.
Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që ju të keni alternativa të reja cilësore studimi këtu, me qëllim që pas studimeve të integroheni sa më shpejt në tregun e punës e të jepni sa më shumë kontribut për Shqipërinë tonë të dashur.
Ne kemi nevojë për ju! Vendi ka shumë nevojë për ju!
Dy fjalë edhe për ju, të dashur kolegë pedagogë.
Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve të së ardhmes. E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t’i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit. Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur.
Burimi: /Top-Channel