Paloma, Iliri, Fifi dhe Arditi ishin katër “të dënuarit” e ‘’Big Brother VIP”, pasi gjatë javës së shkuar kishin shkelur rregulla të rëndësishme në shtëpi. Pas rreth 48 orësh, në një pjesë tjetër të shtëpisë, pa kushtet e të tjerëve dhe pa asnjë komunikim me ta, ata u rikthyen për t’iu bashkuar 10 banorëve. Menjëherë kanë nisur “thumbat” dhe debatet, që dukeshin si pakënaqësi, të akumuluara nga puntata e së martës.
Paloma, e zhgënjyer nga Donaldi dhe reagimi i tij kur ajo u shpall e preferuara e publikut, nuk i ka kursyer “kunjat” për të.
“Hë, ke ndonjë parashikim tjetër?”, i tha gazetarja aktorit të humorit.
“Jo, por sapo ikët ju, të gjithë filluan të kërcenin rreth krevatit tënd”, ia ktheu ai.
Ndërkohë, edhe marrëdhënia e Fifit me Granitin është bërë shkak i shumë diskutimeve në shtëpi, madje mbrëmjen e sotme, duket se u bë motivi që ‘krisi’ raportin mes dy mikeshave, Fifit dhe Palomës.
Kjo e fundit e kishte këshilluar Fifin që të tregohej e rezervuar përballë Granitit, derisa ky i fundit të qartësojë ndjenjat e tij, mirëpo Fifi nuk e ka marrë në konsideratë, gjë që nuk i pëlqeu aspak Palomës.
“Unë nuk e konceptoj dot që femra të japë më shumë në një lidhje, Fifi duhet te tregohet më e tërhequr”, tha ajo, teksa diskutonte me Monika Lubonjën.
Ndërkohë Fifi, ka këmbëngulur se ajo mund të bëjë ç’të dojë, duke i kërkuar të mos flasin më për këtë çështje.
“Boll më keni lodhur”, tha këngëtarja, që pas dënimit mori një surprizë shumë të bukur nga Graniti.
Sapo u rikthye në dhomën e saj të gjumit ajo e gjeti krevatin e saj të mbuluar me petale dhe me disa qirinj.
Ndërkohë, nuk kanë munguar as rrëfimet e banorëve lidhur me jetën e tyre private, apo vështirësitë gjatë karrierës.
Ishte aktorja Arjola Demiri, ajo që i tronditi të gjithë, kur rrëfeu se pas divorcit, kishte abortuar dy binjakë, dhe se kishte tentuar edhe vetëvrasjen.
Ilir Shaqiri, nga ana tjetër ka rrëfyer se kur ai ka hapur shkollën e baletit, ka marrë edhe kërcënime.
Vështirësi gjatë karrierës rrëfeu edhe Fifi, që tregoi se ka ndodhur edhe që t’i vidhet një produksion muzikor.