Bebe Rexha në daljen e saj të fundit ka folur rreth jetës profesionale por nuk ka ngurruar të japë disa mesazhe të forta për rrënjët e saj.
Por, po ashtu është treguar edhe e drejtpërdrejtë duke folur për plagët apo prapambetjet e shoqërisë sonë.
Këngëtarja thotë se mentaliteti i saj “gjithmonë nxitues” vjen nga rritja në një familje emigrantësh. Të dy prindërit e saj janë shqiptarë, me babanë e saj që emigroi në SHBA nga Maqedonia e Veriut në moshën 21-vjeçare në fund të viteve 80-të, para Luftërave Jugosllave.
Nëna e saj ka lindur në SHBA, por edhe gjyshërit e Rexha-s nga nëna kanë emigruar nga Evropa në kërkim të një jete më të mirë.
E pyetur për familjen e saj, Bebe ka rrëfyer:
‘Ata janë më paranojakë, shumë të stresuar. Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime, por duhet të mësosh se si të tërhiqesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën ndër breza. Mos më keqkuptoni, unë e dua kulturën dhe prejardhjen time dhe e urrej ta them këtë, por ndonjëherë më duket sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë në vendin tim. Burrat hanë të parët. Burrat flasin. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas vijnë gratë.’