Ndarja e parakohshme nga jeta e Hueyda El Saied na shokoi të gjithëve mëngjesin e 23 nëntorit të vitit 2021.
Vajza e qeshur dhe e ëmbël, ajo që na bëri për vete që në daljet e para në ekran, nuk arriti të mposhte betejën me një sëmundje të pashërueshme që zgjodhi ta mbante të fshehtë për publikun.
Vdekja e saj trishtoi miqtë, kolegët dhe këdo që e njihte dhe e kishte parë nga ekrani. Por sigurisht, më shumë nga të gjithë, mungesën e saj e ndiejnë familjarët.
Sot ajo do të festonte 48-vjetorin e lindjes dhe Thierry e Gabriel kanë zgjedhur t’ia urojnë krejt ndryshe, duke vendosur një stol me emrin e saj dhe duke mbjellë një pemë në Parkun e Liqenit të Tiranës.
Bashkëshorti i balerinës së ndjerë u shpreh: ” Sot është një ditë e veçantë për Gabrielin dhe për mua, por gjithashtu edhe për familjen dhe miqtë . Sot ndodhemi këtu, pikërisht në ditën e lindjes së Hueyda-s, për të dëshmuar vazhdimësinë dhe bukurinë e jetës. Faleminderit për pemën dhe për stolin! Pema simbolizon botëkuptimin e Hueyda-s për dashurinë dhe artin”.
Sakaq kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se Hueyda-n do e kujtojë si një vajzë me energji pozitive, që dhuronte shumë dashuri.
“Promovimi i së mirës është mënyra më e drejtë për të ecur përpara. Sot në ditën e parë të hyrjes së stinës së re, për një gocë që ishte gjithmonë pranverë, jam shumë i lumtur që në rrugicën e parë buzë liqenit, ndoshta në vendin më të bukur, me panoramën më qetësuese, një vend ideal për reflektim, vendosim një stol me emrin e saj“-përfundoi ai.