Mjafton të shkruani “fëmijë” apo “#MumTok” në platformat e rrjeteve sociale dhe do të gjeni postime të pafundme të prindërve që ndajnë video dhe foto të fëmijëve të tyre.
Ky trend i postimit të fëmijëve në rrjetet sociale ka një emërtim – sharenting – që bashkon fjalët share (ndaj, publikoj) dhe parenting (prindërim).
Por anëtarët e parlamentit francez duan t’i japin fund kësaj. Aktualisht, një projektligj kundër postimit të fëmijëve në rrjete sociale po diskutohet në Senatin e vendit.
Një nga klauzolat e paraqitura synon t’i bëjë prindërit përgjegjës për të drejtat e privatësisë së fëmijëve të tyre të cilët nuk mund të miratojnë që fotot e tyre të ngarkohen në internet. Në rastet më ekstreme, një gjykatës i familjes mund të heqë edhe të drejtat e prindit për të publikuar imazhet e fëmijës së tyre, nëse konsiderohet e tepërt ose e dëmshme.
Ky ligj i propozuar synon të ndëshkojë prindërit influencers që kërkojnë të fitojnë ndjekës dhe të fitojnë para duke postuar imazhe të fëmijëve të tyre.
Sipas studimeve të ndryshme, një fëmijë postohet në internet mesatararisht 1,300 herë para moshës 13-vjeçare – mosha kur ata mund të krijojnë llogarinë e tyre në rrjete sociale.
Ky projektligj është i pari në botë dhe është mirëpritur nga psikologët e fëmijëve dhe ekspertët e rrjeteve sociale. “Unë e shoh të nevojshme të mbroj fëmijët që nuk kanë zë për të folur kundër imazheve të shpërndara në internet nga prindërit e tyre,” tha Anja Stevic, studiuese e komunikimit në Universitetin e Vienës. “Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet. Kryesisht në lidhje me etikën ose vjedhjen e imazheve për disa qëllime vërtet keqdashëse në internet,” tha ajo për Euronews.
Bruno Studer, politikani francez që qëndron pas projektligjit, thekson se 50% e fotove të shpërndara në mënyrë të pafajshme në mediat sociale përfundojnë në forume të abuzimit seksual të fëmijëve.
Burimi: /Anabel