Në pjesën e parë të post “Big Brother VIP”, Luiz Ejlli rrëfeu se si i përjetoi ditët e para pas daljes nga reality show.
Ndër të tjera, Luizi u ndal edhe te “miqtë” e tij, ku tregoi se e kanë shfrytëzuar për përfitimet e veta.
“Kam kuptuar këto ditë që shumë vetë më kanë shfrytëzuar gjatë qëndrimit tim brenda. Që të gjithë ata njerëz që më braktisën që më shkelën, sot kanë qenë në qindra emisione, studio, rrjete sociale duke u treguar se kush më ka njohur përpara. Nuk them emra, por ata e dinë shumë mirë se kush janë”, theksoi Ejlli.
Mirëpo pavarësisht se Luizi nuk përmendi emra, në rrjet deklarata e tij u mor si një “thumb” ndaj dy miqvë tashmë të njohur të tij, Marios dhe Jonit.
Dhe kështu është, ose të paktën këtë tregoi këngëtari me veprimin e fundit.
Ai ka vendosur që nga Instagrami i tij, të heqë nga lista e ndjekësve si Jonin ashtu edhe Marion.
Një veprim të tillë Luizi e bëri edhe para pak kohësh për ti ndjekur sërish më vonë.
Duket se këtë herë miqësia mes tyre ka marrë fund përfundimisht.