Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez raportohet se po kalojnë një periudhë të vështirë në çift. Sipas asaj që thuhet në mediat spanjolle, futbollisti duket se është “ngopur” me sjelljen e partneres së tij.
Dyshimet janë shtuar pasi ish-shitësja e “Gucci”, tashmë një modele dhe influencuese e njohur në të gjithë botën, muajt e fundit është bërë më egoiste dhe më krenare se kurrë.
Ajo po shfaqet më shumë e interesuar të kujdeset për veten sesa për sulmuesin apo fëmijët e tyre, siç ka bërë gjithmonë në të kaluarën.
Si për ta përforcuar krizën me Ronaldon, ka shërbyer edhe mënyra se si Rodriguez i trajton miqtë e saj dhe mungesa e autenticitetit që ajo shfaqi në “Soy Georgina”, seriali dokumentar i disponueshëm në Netflix, që tregon jetën private dhe profesionale të 29-vjeçares spanjolle, por me origjinë argjentinase.
Episodet e fundit të “Soy Georgina numër 2″, kanë tërhequr disa kritika. Shumë njerëz kanë akuzuar Georgina Rodriguez se i ka “fluturuar mendja” për shkak të famës dhe popullaritetit.
Në një skenë, e dashura e Ronaldos shihet që fton një mikeshën e saj të mos ia prekë me duar blerjen e fundit të shtrenjtë, një çantë “Hermes”. Një gjest që nuk i ka pëlqyer lojtarit, i cili është i lodhur nga disa qëndrime të partneres.
“E gjitha kjo krenari e Georgina ka shkaktuar një krizë të madhe në marrëdhënien me Ronaldon. Duket se futbollisti është i zhgënjyer nga ky ndryshim qëndrimi i partneres së tij. Ai beson se Georgina është bërë shumë egoiste që kur është bërë e famshme”, shkruan “Mundo Deportivo”.