Lidhjet toksike janë kryefjala e shumë artikujve, videove në rrjetet sociale, bisedave me miqtë dhe dilemave në mendjen e gjithsecilit.
Ndërkohë që shenjat e një lidhjeje toskike janë të qarta, lidhjet e shëndetshme duket se janë lënë pak ‘në hije’, ndaj le të flasim për to, duke përmendur disa nga shenjat dhe veprimet që tregojnë se po përjeton një të tillë.
Ti ke besim te partneri/ja
Aftësia për t’i besuar partnerit/es dhe e anasjellta është veprimi më i rëndësishëm që e bën një lidhje të shëndetshme. Duke mos mbajtur sekrete që e dëmtojnë lidhjen, ti ndërton besim te personi tjetër dhe kjo e mbron lidhjen nga lëndimet që mund të hasni me kalimin e kohës. Besimi nënkupton një përparim me hapa të sigurt dhe një raport më të qëndrueshëm mes jush.
Komunikim i qartë dhe i sjellshëm
Komunikimi nuk lidhet vetëm me aftësinë për të folur, por me atë për t’u kuptuar. Një lidhje e shëndetshme përkon me një komunikim të bazuar në mirësjellje dhe respekt, duke sqaruar në mënyrë efektive ndjesitë e tua dhe duke kërkuar në mënyrë të saktë dhe efektive se çfarë kërkon nga personi tjetër.
Të mbash përgjegjësi për veprimet e tua
Të mbash përgjegjësi për ato që bën do të thotë të mendosh për të mirën e përbashkët, duke synuar përmirësimin e marrëdhënies dhe zgjidhjen e problemeve. Kjo është komplet e kundërta nga sulmi karshi partnerit/es, dëshirës për të fituar argumente, apo tendencës për të manipuluar situata. Në të tilla raste, mund të arrish qëllimin, por jo të ndërtosh një marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Interes i përbashkët për të plotësuar nevojat e njëri-tjetrit
Nëse do që marrëdhënia jote të funksionojë, duhet që të kesh parasysh edhe nevojat e personit tjetër. Ndjesitë, dëshirat dhe nevojat e personit tjetër janë shumë të rëndësishme dhe duhet t’i kesh në konsideratë gjithmonë.
Të falësh dhe të përmirësohesh
Të falësh një gabim është një tjetër aspekt i lidhjes së shëndetshme. Ajo që duhet të bësh pasi të falësh, të mos e kujtosh më gabimin dhe të përmirësosh marrëdhënien tënde.