Ekipet e shpëtimit janë në luftë me kohën teksa kërkojnë nëndetësen e zhdukur, përpara se të mbarojnë furnizimet me oksigjen për ekuipazhin.
Nëndetësja turistike bënte ekspedita të ndryshme në rrënojat e Titanikut, të cilat ndodhen 3,800 metra nën nivelin e detit, por diçka ka shkuar keq dhe ajo u zhduk së bashku me turistët në bord, pa lënë asnjë gjurmë.
Anije nga e gjithë Europa u janë bashkuar përpjekjeve për të shpëtuar nëndetësen Titan. Ekipet e shpëtimit patën arsye për të qenë optimistë të mërkurën pasi raportuan se kishin dëgjuar zhurma nënujore në Atlantik.
Megjithatë theksuan se tingujt nuk konfirmonin se ekuipazhi ishte gjallë dhe gjithashtu ekspertët ngritën pikëpyetje se çfarë ndodh nëse nëndetësja gjendet – dhe çfarë pajisje do të jetë e nevojshme për ta tërhequr atë.
Një Youtuber i njohur meksikan i udhëtimeve, Alan Estrada ka kujtuar udhëtimin e tij për të vizituar rrënojat e Titanikut në bordin e Titan. Estrada tha për BBC se të gjithë ata që u ishin pjesë e ekspeditës “ishin plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet që po merrnin”.
Ndonëse është shumë herët për të thënë se çfarë ndodhi me anijen, ekspertët kanë ngritur pyetje nëse janë ndjekur të gjitha masat e duhura të sigurisë.
Stockton Rush, drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i OceanGate, krijuesi i Titan dhe kompania që kryente ekspeditat, është në mesin e të zhdukurve. Rush ka dekada përvojë inxhinierike dhe ka qenë në krye të ekspeditave për te rrënojat e Titanikut që nga viti 2021 – kjo ishte hera e tij e pestë.
Në bordin e nëndetëses ndodheshin 5 persona: Sipërmarrësi i njohur Shahzada Dawood, djali i tij, Suleman, biznesmeni dhe eksploruesi britanik, Hamish Harding, zhytësi Paul-Henry Nargeolet, si dhe CEO i OceanGate.
Sipas ekspertëve të industrisë dhe ish-pasagjerëve, ekspedita e Titan ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak të thellësisë së oqeanit.