Tridhjetë vjet më parë, 20 mijë shqiptarë zbarkuan në Bari me anijen Vlora, një ngjarje që kujtohet dhe ka bërë xhiron e botës përmes një fotografie e cila përcolli në mënyrën më të mirë të mundshme dramën e asaj periudhe.
Autori i fotografisë së famshme asokohe ishte një djalosh 16-vjeçar, Lorenzo Turi, i cili punonte në agjencinë e fotografive të të atit, Luca. Në një intervistë për La Repubblica, ai tregon pse anija Vlora nuk mund të harrohet.
“Sepse është një gjë unike, e papërsërishtme. Asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe ndoshta nuk do t’i ndodhë askujt që të përballet me një anije që ishte shndërruar në një lloj pengese njerëzore. Për orë të tëra, burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave dolën nga anija Vlora, të ndotur, të lodhur, të uritur dhe në nevojë për gjithçka.”
Turi shprehet se fotografia është shkrepur në orën 14:30, pas disa orësh që anija ishte ankoruar. Ai kujtoi se kishte shumë njerëz në anije, sikur askush të mos kishte zbritur.
“Më kujtohet që operacionet e ankorimit ishin shumë të vështira, motorët e Vlorës nuk punonin më dhe rimorkiatorët luftonin për ta tërhequr. Ne padyshim kishim filluar të bënim fotografi dhe të filmonim nga ana e detit.”
Ai përmend të tjera momente drithëruese të asaj dite.
“[…] Pastaj ka dy imazhe të tjera që janë të paharrueshme për mua. E para është beteja që filloi mes rreth njëzet shqiptarëve kur dikush hodhi një copë bukë: të gjithë u dyndën në përpjekje për ta kapur sepse ishin shumë të uritur.”
Po imazhi i dytë? Turi përmend Enrico Nicola Dalfino, profesor dhe kryebashkiak i Barit asokohe.
“Ai u zhvendos në një cep dhe vuri duart në fytyrë. Sipas mendimit tim, nuk ishte një klithmë emocionale, por ishte thirrja e dikujt që ishte në qendër të një drame dhe pyeste veten se çfarë të bënte për t’i ndihmuar ata njerëz. Për mua ky është një kujtim i dyfishtë: i Vlorës dhe i kryebashkiakut.”
Ditët në vazhdim ishin edhe më të rënda.
“Qëndruam në rrugë ditë e natë duke u ndarë mes stadiumit dhe portit. Shumë harrojnë që shumë njerëz ishin bllokuar, qëndronin në diell të fortë dhe në një nivel lagështie shumë të lartë, as nuk kishin strehë për t’u strehuar. Kishte një erë të keqe në ajër, kishte nga ata që ishin të sëmurë, ata që përpiqeshin të iknin, ata që ishin të uritur ose të etur. Herë pas here, policia hidhte ujë në ajër për të freskuar, por kushtet higjienike ishin vërtet të tmerrshme. Në stadium, megjithatë, nga një moment në tjetrin, pritej bastisja e policisë. Pastaj, pas mbërritjes së shefit të policisë, Vincenzo Parisi, filluan riatdhesimet e para,” kujton ai.
Brenda dy javësh, autoritetet italiane riatdhesuan rreth 17,400 shqiparë duke mbajtur jo më shumë se 8%. Anija Vlora, e cila u nis nga porti i Durrësit, u shndërrua në simbol të njerëzve, të mbledhur nga të gjitha qytetet, të cilët kërkonin lirinë dhe një jetë më të mirë.