Eni Çobani ishte e ftuar në një intervistë ndryshe mëngjesin e sotëm në “Aldo Morning Show”.
Mes disa rrëfimeve, zonja Eni u ndal në një nga momentet më të vështira që ka përjetuar së fundmi, që ishte pabesia e asistentit të saj, të cilin e konsideronte njeri shumë të afërt.
Ajo rrëfeu se këtë tradhti e ka përjetuar shumë keq dhe për një muaj e gjysmë nuk ka dalë nga zyra.
“Do flas për një moment që shumë njerëz e dinë, ata me të cilët unë bashkëpunoj patjetër që po, por edhe njerëz të tjerë. Ajo që së fundmi më ka çuar në një shpërthim shumë të fortë ka qenë pabesia e një personi që unë e mbaja shumë afër, e konsiderova si të familjes. Dhe pastaj u përballa me një zhgënjim të jashtëzakonshëm dhe me një pabesi jo të thjeshtë, por një pabesi që më çoi të mendoja si është e mundur që një njeri, të cilin e mban kaq afër, i beson kaq shumë, i jep gjithçka që mundesh ti, në kuptimin profesional, për ta bërë atë një njeri më të mirë seç është… të jep një goditje që realisht të trondit dhe të ul me këmbë në tokë dhe thua “si është e mundur”. Më kujtohet gjithmonë ajo fjala që “dëmin më të madh ta bën yti”. Më vjen shumë keq që e provova në kurriz. Kisha pësuar gjëra të vogla, por kjo kishte një përmasë më të madhe, kështu që më tronditi”, -u shpreh zonja Eni, duke treguar se kush ishte ky njeri.
“Asistenti që punonte në zyrën time. Ai bëri një pabesi të jashtëzakonshme, një zhgënjim të madh, sepse u mor me një gjë që e kishte jashtë kompetencave të tij dhe bëri një dëm ekonomik kundrejt qytetarëve, të konsiderueshëm. U merrte lekë dhe kjo më ka vrarë shumë, edhe tani që flas e përjetoj.”
Eni Çobani shtoi se ai u zhduk dhe nuk e pati fuqinë që t’i dilte më përballë. Megjithatë, tani është në gjykim, në gjykatën e shkallës së parë.
“Më ra tavani në kokë realisht. Rreth një muaj e gjysmë, ndoshta e them sot për herë të parë, nuk kam dalë nga zyra, kam fjetur në zyrë, kaq rëndë e mora. Nuk e besoja kurrë, sepse një njeri vërtet mund të marrë te njeriu që punon, por jo te qytetarët. Ky, Aldo, nuk ishte dëm vetëm kundrejt qytetarëve, por ishte kundrejt Enit personalisht. Por falë Zotit, sikurse ka njerëz të mirë, qytetarët mirëkuptuan gjithçka. Por ai ka qenë një moment shumë i vështirë që akoma nuk ka kaluar”, -u shpreh ajo.
Zonja Eni theksoi se ajo ka qenë shumë e hapur me këtë person dhe i ka qëndruar pranë për halle apo problematika dhe ai nuk kishte arsye për ta bërë diçka të tillë.
Burimi: /Class