Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj tronditi gjithë opinionin poublik dhe shkaktoi reagime të shumta. Ajo u dhunua për vdekje nga bashkëjetuesi i saj, Dardan Krivaqa, e më pas u la pa shenja jete jashtë dyerve të spitalit të Ferizajt.
Së fundi, babai i së ndjerës ka thënë se nëse shteti nuk merr masa, ata do të veprojnë me kanun. Në një intervistë për Top Channel, ai ka thënë se familja nuk e njihte mirë Krivaqën dhe nuk kishin si të ndërhynin, pasi ishte zgjedhje e vajzës.
“Dardani e mbyllte derën me çelës, e ka zbuluar nëna e Marigonës. Ne i kemi thënë Marigonës, që nuk e njohim mirë atë. Vajza e mori vetë dhe s’kishim si të ndërhynim. Nëse shteti nuk e jep verdiktin vetë, ne kemi kanunin, më ndodhi mua po mos i ndodhtë tjetër kujt. Kemi kanunin e Lekë Dukagjinit”, ka thënë ai.
Më tej, babai i 18-vjeçares ka treguar se nuk e dinte se Krivaqa kishte probleme me ligjin, por shtoi se dinte që nëna e tij punon në polici dhe mund të ketë ndërhyrë për të mbyllur dosjet.
“Ne se kemi ditur këtë gjë, po nëna e tij ka qenë në shërbim me policinë dhe i ka mbyllë ato dosje”, ka traguar ai.
Kujtojmë se Marigona Osmani u la e pajetë më 22 gusht para spitalit të Ferizajt, me fraktura të rënda dhe shenja dhune në trup. Policia arrestoi pas ngjarjes Arbër Sejdiun, bashkëpunëtor në krim. Më vonë ra në pranga edhe Dardan Krivaqa, pasi fillimisht tentoi të arratisej.