Dua Lipa u vlerësua me çmimin “Outstanding Artistic Leadership” (Lidershipi i Shquar Artistik) nga Këshilli i Atlantikut – organizatë jopartiake e udhëheqjes globale të SHBA që nxit partneritetin me aleatët dhe partnerët – dhe gjatë fjalimit, Dua u ndal te Kosova, të rinjtë e saj dhe pritshmëritë për të ardhmen.
“Good evening! Ose siç themi në Kosovë, ‘Mirëmbrëma!’ Qëndroj para jush sot si një fëmijë nga Kosova, që lindi dhe u rrit në Mbretërinë e Bashkuar dhe është sot e ftuara e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vij nga një vend për të cilin ju keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën si unë do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju një copëz nga Kosova ime.”
Në vijim, Dua, e cila ishte e shoqëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtoi se njerëzve në Kosovë u pëlqen të festojnë, gjë “që nuk është surprizë se ndoshta 50% e popullsisë është nën moshën 25-vjeçare”. “Jam zyrtarisht e moshuar në Kosovë,” tha Dua me humor. Ajo thekson se Prishtina ka një kulturë shumë europiane.
“Ndonëse një vend i vogël, Kosova po shpërthen nga kreativiteti. Kam shumë shembuj, por ja vetëm disa. ‘Zgjoi’ një film i bukur fitoi tre fitoi çmime të rëndësishme në Sundance Film Festival. Priteni në Oscars.”
Në vijim të fjalimit, Dua u ndal se pavarësisht shpirtit krijues, kulturës dhe kaq shumë projekteve të rëndësishme artistike, të rinjtë e Kosovës kanë vështirë për të gjetur punë dhe pengohen nga kufizimet për të udhëtuar nëpër botë. Ajo kërkoi nga Komisioni Europian liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kemi vetëm 13 vite në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona,” thotë ajo.