Prej kohësh tanimë TikTok është kthyer në rrjetin social më të përdorur, sidomos gjatë izolimit prej pandemisë kur njerëzit u përpoqën të tregoheshin sa më kreativë, duke e parë si një nga mundësitë e pakta të argëtimit.
Tashmë ky aplikacion numëron mbi një miliard përdorues nga e gjithë bota, e mes shumë të tjerash, ka bërë të mundur që shumë persona të gjejnë sozinë e tyre sidomos të personazheve publike.
Siç ka ndodhur me reperin e njohur, Mozzik. I riu nga Gjilani, Herolind, që jeton në Paris, ka marrë vëmendje të madhe pasi duket identik si artisti. Në një intervistë për “T7” ai është shprehur se e vlerëson shumë reperin si njeri dhe do të donte që ta takonte.
“E vlerësoj muzikën dhe personalitetin e tij. Do të dëshiroja që ta takoja shumë. Fama që kam marrë në rrjete sociale më ka bërë të ndihem shumë mirë. E vlerësoj faktin që njerëzit më thonë se je si Mozzik, ngjajmë shumë është e vërtetë. Çdo ditë marr mesazhe në lidhje me ngjashmërinë time me Mozzik-un“.
Pasi fotot e tij bënë xhiron e rrjetit, nuk mund të mungonte një reagim as nga Mozzik, i cili po ashtu është me të njëjtin mendim si fansat. Në një video të Herolindit në “TikTok” ai ka komentuar me nota humori: “Mozzik a je ti vlla?” Tashmë mbetet vetëm t’i shohim të pozojnë së bashku.
Burimi: /News-31