“Kosherja”, nën moderimin e Bes Kallakut dhe Jona Spahiut, është rikthyer me sezonin e dytë në ekranin e ABC. Siç është “zakon”, moderatori dhe aktori i mirënjohur, Bes Kallaku e nisi me monologun e tij, ku u ndal tek një temë që ka qenë mjaft e diskutuar ditët e fundit.
Aktori bëri një krahasim të situatës dhe problemet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë dhe afganëve që ndodhen në vendin tonë prej disa javësh.
“Më mirë të jesh afgan në Shqipëri, se sa të jesh shqiptar në Shqipëri. Se po të jesh afgan rri në hotel me pesë yje, shqiptarit i rritet çmimi i bukës dhe nuk i bjer në mend fare për këtë punë. Po të jesh afgan në Shqipëri, të ruan Policia e Shtetit ndërsa po të jesh shqiptar edhe po të kesh urdhër mbrojtje vijnë të rrahin, të vrasin”, tha Besi.
“Po të jesh afgan vazhdon tek hoteli e pjesë yje se paguan shteti kurse po të jesh shqiptar, edhe pse të ka shembur tërmeti shtëpinë, vazhdon të rrish në çadër akoma duke parë yjet në qiell. Ndërkohë që për të gjithë afganët çdo gjë është falas, për shqiptarët është vetëm vaksina”, tha moderator ndër të tjera, sigurisht shoqëruar me nota humori.
Para disa ditësh Besi tha me keqardhje se e kishte menduar largimin nga Shqipëria, edhe pse ai ka një karrierë të konsoliduar dhe ka gjithe familjen në Shqipëri.