Robbie Coltrane, aktori legjendar skoncez i “Harry Potter” dhe “Cracker”, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare në spital, pas një beteje gati 2-vjecare me sëmundjen e tij. Lajmi i hidhur u konfirmua nga agjenti i aktorit dhe familja.
Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Anthony Robert McMillan, ishte fitues i disa çmimeve, madje mban edhe rekordin “Guiness” për cmimet BAFTA, ndërsa është i vetmi që ka fituar tre të tillë radhazi për rolin e tij si doktori Edward “Fritz” Fritzegarld në dramën Cracker si aktori më i mirë.
Padyshim që Coltrane do të mbahet mend edhe për interpretimin e paharrueshmëm si “Hagrid” në sagën e “Harry Potter”, po ashtu edhe në filma të tjerë të njohur duke përfshirë Nuns On The Run, Mona Lisa, Ocean’s 12, James Bond “GoldenEye” dhe The World is not Enough.
Anthony Robert McMillan lindi në Rutherglen, Skoci në vitin 1950. Ai mori emrin skenik Coltrane kur ishte në moshën 20-vjecare, për nder të saksofonisit të xhazit John Coltrane dhe depërtoi në produksionin teatror të Byrne-it “The Slab Boys”.
Suksesi i tij më i madh erdhi në vitet 1990, me serialin e lartëpërmendur, ndërsa debutimin në Harry Potter e bëri në 2001. Ai ka lënë pas dy fëmijë, ndërsa mbante edhe vlerësimin me OBE (Officer of the British Empire), një nga vlerësimet më të larta që mund të marrë dikush në Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi: /News31