Shkaktoi një bujë të madhe në media në fillim të 2019 kur Cozman bëri një deklaratë të papritur për labelin e njohur “Babastars”.
Ai prej vitesh ishte pjesë e këtij grupi por përmes një postimi në rrjetet sociale, asokohe ai tregoi se nuk është më pjesë e tij.
Cozman shkruante se Babastars do të mbeten gjithmonë në zemrën e tij, por, siç i quante ai, interesat personale kanë triumfuar mbi ato të grupit.
Ai dhe djemtë e “Babastars” nuk e ndiqnin më njëri-tjetrin në rrjetet sociale duke lënë të kuptohet se gjërat mes tyre nuk kanë përfunduar mirë. Megjithatë, një foto që ai publikoi me Majk kohë më pas la vende për një përmirësim të mundshëm të marrëdhënieve.
Sakaq, reperi i njohur u shpërngul me kohë të plotë në Londër dhe vazhdoi karrierën e tij “solo”. Kohët e fundit u duk se ai bëri një pauzë duke u munguar fansave. Megjithatë, pas kësaj qëndron një surprizë e madhe.
Duket se ai dhe “Babastars” kanë rregulluar sërish marrëdhëniet. Por jo vetëm kaq. Cozman po vjen në një bashkëpunim me Majk dhe Onat.
Lajmin e ka zbuluar vetë Cozman në rrjetet sociale ku ka treguar se kënga e tyre mban titullin “Amore”, teksa data e publikimit nuk dihet ende. Interesant është fakti që Cozman ka fshirë edhe të gjitha postimet e tij nga Instagrami për t’ia dedikuar të gjithë hapësirën kësaj kënge të re, që si duket nis edhe një kapitull të ri për të.
Sjellim në kujtesë se në vitin 2014-të, tre reperët publikuan një bashkëpunim me titullin “Shumë i smut”, që ishte një hit i asaj kohe.
https://www.instagram.com/p/CSmOunNDbRs/?utm_source=ig_embed&ig_rid=ae12aca9-76f4-4b82-8f06-731b1ceb28f9