Pas përjashtimit të Ermiona Lekbellos ditën e sotme nga shtëpia e “Big Brother VIP”, edhe aktorja Eva Alikaj është skualifikuar nga reality show pasditen e sotme, teksa edhe për të ka ardhur një njoftim i ngjashëm si i këngëtares.
“Konkurrentja Eva Alikaj, për shkak të shprehjeve kërcënuese që ka përdorur, largohet në këtë moment nga shtëpia e ‘Big Brother’. Ju rikujtojmë që secili prej jush duhet të respektojë rregullat e formatit për të pasur një lojë të drejtë,” njoftoi “Vëllai i Madh” banorët, ndërsa shkak për këtë përjashtim është bërë një situatë e krijuar mes aktores dhe Luizit.
Kështu, në një diskutim që në fakt nisi mes Evës dhe Kristit, kur ky i fundit donte ta ndërronte si parnere në konkursin e vallëzimit që do të zhvillohet brenda shtëpisë, ndërhyri Luizi që në atë moment ishte në gjumë dhe kjo ndërhyrje u pasua me debat e kërcënime nga Eva.
Shprehja që ka ndikuar në përjashtimin e saj ka qenë “ta çaj kafkën”, pas së cilës kanë reaguar edhe banorët e tjerë dhe Alikaj është thirrur menjëherë në dhomën e rrëfimit.