Jorgji Qirjako, historiani, filologu dhe përkthyesi i njohur shqiptar është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 70-vjeçare në Londër. Ky lajm i trishtë është bërë me dije nga miqtë në rrjetet sociale.
Ai ka përkthyer rreth 70 vepra, ndërsa në shkurt të këtij viti u dekorua me titullin ”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Ilir Meta me motivacionin:
“Në vlerësim të veprës së palodhur e të çmuar si përkthyes veprash politike, shoqërore dhe letërsi artistike dhe të kontributeve të spikatura në ekspeditat arkeologjike, etnografike dhe folklorike në Kolonjë, duke i përfaqësuar me dinjitet dhe lartësuar vlerat e tyre të rrallë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Me mirënjohje për evidentimin e traditave atdhetare, kulturës popullore dhe figurave të shquara të historisë sonë kombëtare”.
Për rreth 25 vjet, Qirjako udhëhoqi veprimtarinë kulturore dhe artistike në rrethin e Kolonjës, duke dhënë një kontribut të veçantë, në drejtimin dhe organizimin e ekspeditave arkeologjike, etnografike dhe folklorike, si dhe në përfaqësimin me dinjitet të grupeve përfaqësuese të Kolonjës në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ai ka një meritë të veçantë në evidentimin e traditave patriotike të kulturës popullore, si edhe të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, nëpërmjet studimeve të ndryshme, organizimit të sesioneve shkencore dhe si autor i disa botimeve monografike.
Burimi: /Iconstyle