Vajza shqiptare, Nora Gjakova mundi në finale rivalen franceze, Sarah Leoine Cysique me ippon dhe fitoi medaljen e artë për peshën deri në 57 kilogramë. Po ashtu, në gjysmëfinale Nora mundi japonezen Tsukasa Joshida.
Kjo është medalja e tretë e artë e Kosovës në Lojërat Olimpike, pas asaj të fituar para 5 vitesh nga Majlinda Kelmendi në Rio dhe asaj të para pak ditëve nga Distria Krasniqi.
Kosova konfirmohet edhe një herë superfuqi në xhudo dhe renditet aktualisht në vendin e shtatë për medalje të arta në këto Lojëra Olimpike, duke lënë pas shumë superfuqi.
Ky lajm ka bërë super krenare edhe artisten shqiptare, Dua Lipa. Ajo është shprehur shumë e lumtur për këtë arritje të Nora Gjakovës dhe e ka ndarë menjëherë me miliona ndjekës në Instagram. Ajo ka postuar në Instagram një foto të Gjakovës dhe e ka uruar xhudisten për këtë arritje.
“Një tjetër medalje e artë për Kosovën! Bravo Nora Gjakova”, shkruan Dua shoqëruar me një zemër të kuqe dhe flamurin e Kosovës.