Reperët Drake dhe 21 Savage, të cilët kanë publikuar vetëm pak ditë më parë albumin e tyre të përbashkët “Her Loss”, janë paditur nga Condé Nast, botuesi i revistës “Vogue”. Por cila është arsyeja?
Artistët akuzohen se kanë përdorur emrin e medias së famshme të modës pa leje, për të promovuar pikërisht projektin e tyre të fundit muzikor.
Kështu, Nast pretendon se e gjithë promoja e albumit, fushatë që nisi disa javë para publikimit të tij, ishte e ndërtuar mbi bazën e përdorimit të paautorizuar të markave tregtare të “Vogue“.
Po ashtu reperët shpërndanë edhe lajme të rreme (gjithmonë sipas Nast), ku pretendonin se ata do të shfaqeshin në kopertinën e ardhshme të revistës, madje falenderonin edhe kryeredaktoren e saj, Anna Wintour.
Padia e paraqitur në një gjykatë në Manhatan thotë se asgjë e pretenduar nga artistët gjatë kësaj fushate nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë autorizim nga Conde Nast.
Akuzat shkojnë deri aty sa thonë se Drake dhe 21 (jo drejtpërdrejtë ata) krijuan gjithashtu një revistë të rreme, e cila u shpërnda në zonat kryesore metropolitane, shoqëruar me postera që imitonin kopertinat e “Vogue”.
Condé Nast kërkon në padinë e tij 4 milionë dollarë dëmshpërblim nga Drake e 21, ose një pjesë të fitimeve nga albumi i tyre.
Burimi: /News-31